ish-ambasadorit amerikan në Tiranë John L. Withers: “Gërdeci, një akt kriminal!”

Posted on März 20, 2012 von

0



“Gërdeci, një akt kriminal!”

John L. Withers për “JAVA”: Qeveria shqiptare, tërësisht kundër konceptit të ndërtimit të demokracisë – Është manipuluar e drejta themelore, procesi elektoral – Votimet për Bashkinë e Tiranës ishin një farsë – Vendimi për Ilir Metën, i paprinciptë – Gjykatësit e Gërdecit ju shmangën faktit qendror: vrasjes së 26 njerëzve
Në 18 janar, dy muaj më parë, shqiptarët dëgjuan daljen publike të ish-ambasadorit amerikan në Tiranë John L. Withers. Që nga largimi i tij nga vendi, rreth dy vjet më parë, zoti Withers ka qëndruar i tërhequr, por jo i painteresuar për ngjarjet shqiptare. Dalja masive e kabllogrameve të Wikileaks e risolli fuqishëm këtë diplomat të lartë amerikan, në faqet e mediave tona. Gjithsesi, në intervistën e dhënë tek Zëri i Amerikës ai e vinte theksin tek aktualiteti, më shumë sesa tek e shkuara e afërt. 
Ky gjest nuk ka qenë spontan. Pasi edhe vetë ambasadori Withers nuk ka rreshtur së interesuari për atë që ndodh në Shqipëri. Ai e pranoi me kënaqësi ftesën e revistës “Java” për një intervistë të re, të fokusuar në aktualitetin shqiptar, të cilin ai e njeh në mënyrë të përkryer. Në këtë intervistë ekskluzive për “Java”, Withers prek një pjesë të mirë të temave të nxehta politike, duke dhënë mendimin e tij të hapur për to, si dhe duke përshkruar me gjuhë të drejtpërdrejtë fenomene, figura publike dhe ngjarje të rëndësishme. Duke përfshirë shpërthimin e Gërdecit, procesin gjyqësor rreth tij që sapo u mbyll, akuzat për korrupsion ndaj qeverisë, vizionin e saj për të ardhmen e vendit dhe afrimin e vështirë drejt Europës. Një reflektim i hapur e njerëzor i një miku të Shqipërisë, ku nuk mungon as 100 vjetori i Pavarësisë, Ismail Qemali e burrat e tjerë të shtetit shqiptar që “vijon të ndodhet në udhëkryq”, siç shprehet John L. Withers.
“Skënder, ndihem mirë që jam përsëri në kontakt me ju. Ju falënderoj shumë për këtë mundësi, për të ndarë edhe njëherë me publikun shqiptar pikëpamjet e mia – si një vëzhgues i afërt, por jo zyrtar, i zhvillimeve në Shqipëri. Tre vitet që kalova në vendin tuaj mbeten disa nga vitet më të mira të jetës sime. Dëshiroj të përshëndes të gjithë ata që më bënë të ndihem aq mirë.
Përpara se t’ju përgjigjem pyetjeve tuaja, do doja t’i shprehja ngushëllimet e mia familjes së Kapitenit Feti Vogli i cili dha jetën në një mënyrë aq fisnike për paqen dhe lirinë në Afganistan, si dhe konsideratën time nëntetarit Aleksandër Peçi dhe familjes, teksa ai po shërohet nga plagët që mori në atë sipërmarrje të guximshme. Këta burra mishërojnë kurajën dhe dedikimin për të cilat është e njohur Shqipëria. Si amerikan, unë ndjehem i nderuar që shqiptarë të tillë, të jashtëzakonshëm, rrinë krah për krah me burrat dhe gratë e shkëlqyera amerikane, teksa përpiqemi së bashku për një botë më të mirë.”
Zoti Ambasador, Ju keni ngritur zërin për të mbështetur përparimin e parimeve dhe institucioneve demokratike në Shqipëri. Tetëmbëdhjetë muaj pasi jeni larguar nga Shqipëria si do ta përshkruanit gjendjen e demokracisë në vendin tonë sot?
Më lejoni që t’i përgjigjem kësaj pyetje në këtë mënyrë: një shekull më parë, një grup i vogël patriotësh shqiptarë, të udhëhequr nga Ismail Qemali, shpalli çlirimin e Shqipërisë nga sundimi i huaj dhe ngriti flamurin e Skënderbeut në truallin shqiptar, për herë të parë pas pesëqind vjetësh. Ato ngjarje do të festohen me krenari nga shqiptarët anembanë botës, gjatë këtij viti.
Burrat dhe gratë e guximshme që ngritën atë flamur në Vlorë në 28 nëntor 1912 kishin pak armë dhe burime. Ata përballeshin me armiq në çdo anë. Por ata ishin të frymëzuar nga traditat e mëdha liridashëse të popullit tuaj dhe parimet vizionare të presidentit amerikan Woodrow Wilson, një shembull i vlerave demokratike universale. Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij shpresonin ta ndërtonin shtetin e tyre të porsalindur mbi këto vlera. Por çfarë do të mendonin vallë ata patriotë të mëdhenj shqiptarë, nëse do të shihnin se si është politika e sotme shqiptare? A nuk do të zhgënjeheshin ata nga dasitë që mbizotërojnë mes dy partive të mëdha politike – dasi kaq të thella sa e kanë bërë qeverisjen, për të mos folur për reformat që i nevojiten aq shumë vendit, të ngelet në vend?  A nuk do të pezmatoheshin ata po të shihnin sesi po tkurren ato liri, për të cilat ata luftuan me aq trimëri dhe përballë vështirësish aq të mëdha, nga një qeveri moskokëçarëse? A nuk do të trishtoheshin ata po të shihnin sesi po abuzohet me idealet demokratike për të cilat ata sakrifikuan aq shumë, nga zyrtarë të etur për pushtet e që përpiqen me dëshpërim vetëm për të mbajtur pushtetin? Nëse këta patriotë do të mund të flisnin sot, nuk kam asnjë dyshim që do të na thoshin se ëndrra e 1912 ende nuk është përmbushur dhe se lufta për liri nuk është fituar akoma.
Zoti Ambasador, kjo intervistë po zhvillohet pothuajse ekzaktësisht në përvjetorin e katër të tragjedisë së Gërdecit. Katër vjet pas shpërthimeve, çfarë përfaqëson Gërdeci? Çfarë ndryshoi në Shqipëri pas asaj ngjarjeje tragjike? Çfarë na tregon mënyra sesi është trajtuar kjo çështje, për qeverinë dhe përkushtimin e saj ndaj popullit shqiptar?
Reagimi i qeverisë ndaj tragjedisë së Gërdecit mbetet një prej dështimeve të saj më të mëdha. Nuk duhet harruar kurrë se në radhë të parë Gërdeci është një tragjedi njerëzore. Teksa fragmentet e mprehta e të përvëluara të metalit ranë si shi nga qielli, njerëzit humbën të dashurit e tyre, përfshirë fëmijët, në një ngjarje që mund të përshkruhet vetëm si një akt kriminal. Të tjerëve, që u plagosën rëndë nga ciflat, iu ndryshoi jeta përgjithnjë. Askush nuk mund t’ua kthejë më të vrarët familjeve apo t’i shërojë sërish ato trupa të dërrmuar. Por, është një përgjegjësi themelore e qeverisë që të garantojë që drejtësia të vihet ne vend dhe që viktimat e kësaj bëme të tmerrshme të shohin, që ata që mbajnë përgjegjësinë ligjore e morale për këtë krim, të japin llogari për veprimet e tyre. Por, qeveria shqiptare jo vetëm që ka neglizhuar zbardhjen e të vërtetës së Gërdecit, por në fakt, ka ushtruar në maksimum pushtetin e saj, për të mos lejuar që e vërteta të dalë në shesh. Me sulmet e saj të egra kundër prokurorëve që hetonin këtë krim, me sulmet e saj kundër gjykatave dhe medias, me mbrojtjen e atyre, që si ish-ministri i mbrojtjes Mediu, mbajnë përgjegjësi morale, në mos ligjore, për këtë tragjedi, qeveria ka treguar qartë vendosmërinë e saj të palëkundur për të mos lejuar zbardhjen e të vërtetës. Pyetja që unë i bëj vetes – dhe që duhet t’i bëjnë vetes edhe shqiptarët – është përse. Çfarë ka në lidhje me Gërdecin, që qeveria nuk do që ju ta dini?
Gjatë ditëve të fundit, në kontekstin e vendimit të Gjykatës së Tiranës në gjyqin e Gërdecit, janë ngritur pikëpyetje të tjera. Askush nuk e ka mbrojtur më fuqimisht sesa unë pavarësinë e gjyqësorit shqiptar. Por edhe për ata që besojnë fort në autonominë e gjykatave, këto vendime janë të çuditshme, e madje zhgënjyese. Rast pas rasti, Gjykata dha vendime për “dhunimin e rregullave të sigurisë në punë” dhe “shkatërrimin e pronës për shkak të neglizhencës.” Por si ka mundësi që ajo iu shmang me kaq përpikmëri elementit kyç, faktit qendror të tragjedisë së Gërdecit: që 26 njerëz të pafajshëm u vranë nga ato shpërthime dhe që dikush është përgjegjës për ato jetë? Si shpjegohet hezitimi i Gjykatës për të adresuar këtë pyetje themelore? A mos vallë nuk e di se çfarë ndodhi në Gërdec në 15 mars 2008? E si mund të japë një vendim për shkatërrimin e pronës, por jo për shkatërrimin e jetëve? A mos vallë është e pashpirt? Apo ka frikë? Nëse ka frikë, nga kush ka frikë?
Zoti Ambasador, në media ka një debat të madh në lidhje me nevojën për një ndryshim madhor të elitës politike në Shqipëri. Klasa politike nuk ka ndryshuar që kur ju u larguat nga vendi. Cili është mendimi juaj?
Ajo që duhet të ndryshojë më shumë se çdo gjë tek elita politike shqiptare është mentaliteti. Sot, klasa qeverisëse shqiptare i përmbahet një koncepti të vjetër, e madje regresiv, se gëzon privilegje në raport me njerëzit e zakonshëm, se ka imunitet nga sundimi i ligjit, se nuk i nënshtrohet vullnetit të popullit. Asgjë nuk ka influencuar për të minuar progresin drejt demokracisë që i duhet vendit, më shumë sesa këto qëndrime arkaike të njerëzve me pushtet. Shqipëria është një demokraci e re. Gjatë më shumë se njëzet vjetëve që kanë kaluar që prej rënies së komunizmit, nevoja e saj më e madhe ka qenë ndërtimi i institucioneve kyçe të një demokracie: një gjyqësor të pavarur dhe të besueshëm, një media të çliruar, një sistem elektoral që është realisht i lirë dhe i ndershëm, një shtet ligjor që e lufton realisht korrupsionin dhe që është njësoj i vlefshëm si për ata me pushtet, ashtu dhe për ata pa pushtet, një kulturë politike që është e aftë të arrijë konsensusin për çështjet e mëdha që lidhen me interesin kombëtar, një përqendrim i pareshtur për t’iu përgjigjur nevojave të popullit.
Asgjë prej këtyre nuk është arritur. Shikoni qeverinë aktuale. Trashëgimia Vepra që ka lënë pas e saj shkon tërësisht kundër konceptit të ndërtimit të demokracisë. Ajo ka kanosur gjykatat në mënyrë rutinë, madje edhe nën fasadën e një ligji antikushtetues lustracioni. Ka sulmuar në mënyrë poshtëruese zyrën e Prokurores së Përgjithshëm, teksa ajo përpiqej të gjente përgjigje për tragjeditë që ndodhën në Gërdec dhe në 21 Janar 2011. Është përpjekur të kufizojë liritë e medias, përmes ligjeve shtrënguese dhe jodemokratike dhe përmes presionit ndaj ambienteve në të cilat funksionon media. Dhe rast pas rasti, ajo ka manipuluar dhe të drejtën demokratike më themelore, procesin elektoral. Është e trishtueshme, që përkundrejt gjithë punëve të mira që mund të kishte bërë një qeveri largpamëse, reformiste dhe pro demokracisë, kjo qeveri ka treguar një interes aktiv, e madje obsesiv, vetëm për një objektiv: pushtetin, me çdo mënyrë që ka në dorë. Sikur ta kishte përdorur mandatin e saj qeverisës për të avancuar parimet demokratike, ky komb do të kishte ecur shumë përpara. Por siç vërejmë, një mundësi e madhe është humbur.
Më lejoni të jem i qartë. Ajo që i nevojitet Shqipërisë nuk janë thjesht politikanë më rinorë, por një mentalitet i ri. Burrat e vërtetë të shtetit, si Nelson Mandela në Afrikën e Jugut apo i ndjeri Vaclav Havel i Republikës Çeke, ishin burra në moshë mjaft të madhe, por besimi tek idealet demokratike ishte thelbi i karakterit dhe qenies së tyre. Ky besim udhëhiqet çdo veprim që bënin dhe çdo vendim që merrnin. Për fat të keq, sot udhëheqësve shqiptarë, qoftë kur janë në moshën e Kryeministrit Berisha apo të Lulzim Bashës, ky besim ju mungon. Është me rëndësi jetike për Shqipërinë, që të gjejë të tjerë udhëheqës – burra dhe gra, të vjetër apo të rinj, të çfarëdo feje apo etnie – tek të cilët flaka e demokracisë vazhdon të ngrohë me shkëlqim..shndrijë.
Ju keni qenë mjaft kritik ndaj mënyrës sesi zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri. Një nga kabllogramet e WikiLeaks, të dërguara gjatë mandatit tuaj si Ambasador, shkruan se pavarësisht njëfarë progresi “Shqipëria mbetet një vend ku janë të pranishme manipulimet, abuzimet elektorale dhe praktika të tjera negative.” Vazhdoni të jeni i të njëjtit mendim?
Unë nuk mund të komentoj mbi elementë specifikë të raporteve të WikiLeaks. Në lidhje me pyetjen më të gjerë, mbi shkeljet elektorale në Shqipëri, historiku i trishtë i zgjedhjeve të fundit shqiptare flet vetë. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 thjesht nuk i përmbushnin standardet e pranuara ndërkombëtare, pavarësisht përpjekjeve të mazhorancës qeverisëse për t’i shtrembëruar raportet ndërkombëtare, për të provuar të kundërtën. Ndërsa votimet për bashkinë e Tiranës vitin që shkoi ishin një farsë dhe, për të ta qenë i sinqertëthënë troç, turpëruese për vendin.
Më lejoni të flas shkoqur: Nuk më intereson se cili kandidat fiton apo humbet. Por procesi duhet të jetë i ndershëm. Por kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e tregon veten se nuk është asgjë më tepër, se një vegël e partisë në pushtet, ndërsa Kolegji Zgjedhor i shmangettkurret përballë përmbushjes së detyrave themelore që parashikon mandati i tij, procesi është qartazi i pandershëm – dhe në mënyrë transparente jo demokratik. Unë e di që pas përfundimit të polemikave mbi zgjedhjet e vitit të shkuar, ka pasur thirrje për një reformë të mëtejshme elektorale. Për fat të keq, unë jam skeptik. Gjëra të tilla janë provuar edhe më parë. Nuk kanë funksionuar. Dhe as që nuk kanë për të funksionuar, derisa udhëheqësit shqiptarë të fillojnë t’i shohin zgjedhjet si një shprehje të padhunueshme të vullnetit të popullitpublik dhe jo si një përpjekje për mbajtjen e pushtetit, përmes anashkalimit të të drejtave demokratike elementare. Për sa kohë nuk është zhdukur ky mentalitet, kam frikë se zgjedhjet në Shqipëri do të vazhdojnë të jenë të njollosura.
Një tjetër kabllogram i WikiLeaks pohonte se pas zgjedhjeve të qershorit 2009 “një ndër pyetjet madhore që shtrohet është nëse një mazhorancë e dobët do të jetë efektive në ndërmarrjen e reformave që i nevojiten vendit.” A e keni tani përgjigjen e asaj pyetje?
E përsëris sërish, unë nuk do të komentoj përmbajtjen e kabllogrameve të WikiLeaks. Por përsa i përket çështjes së qeverisjes, në një kuptim më të gjerë, provat janë shqetësuese në qartësinë e tyre: kjo qeveri sundon, por nuk qeveris; ajo luan me politikatpolitikash, por nuk ndërmerr reformat e nevojshme; ajo përpiqet të fajësojë të tjerët për dështimet e saj politike dhe, iu shmanget përgjegjësive, por nuk kryen funksionet elementare për të cilat është në pushtet.
Më sëmboi në zemër kur lexova Progres Raportin e fundit të BE, i cili arrinte në përfundimin se Shqipëria nuk ka kishte bërë përparim në asnjë nga fushat ku duhet të përparojë për kandidaturën e saj në BE. Është e dhimbshme kur Transparency International dhe agjenci të tjera të respektuara ndërkombëtare raportojnë se institucionet e pavarura, liritë e medias dhe të drejtat themelore demokratike gjenden nën sulmin e vetë qeverisë, dhe se demokracia shqiptare ka bërë hapa prapa dhe është më e dobët se më parë.  Por si mund të ndodhë kjo në një vend, njerëzit e të cilit janë kaq të talentuar, aspiratat e të cilëve për të ardhmen janë kaq largpamëse, dhe të cilët kanë punuar kaq shumë e me kaq mundim për të përmirësuar jetët e tyre dhe të fëmijëve të tyre? Unë kam besimin e palëkundur se publiku shqiptar është më i zgjuar mençur se udhëheqja e tij dhe se një ditë kjo urtësi ka për të fituar.
Cili është mendimi juaj mbi debatin e madh që lidhet me çështjen e korrupsionit në vendin tonë?
Pak kohë më parë një gazetare e njohur ruse ka thënë – dhe po i perifrazoj komentet e saj – se në Rusi korrupsioni nuk është më një tumor në trupin e politikës, që mund të hiqet relativisht lehtë. Por, korrupsioni është si një helm që ka hyrë në gjakun e politikës ruse dhe për ta eliminuar atë tani do të nevojiten masa të dhimbshme dhe afatgjata. Unë shpresoj sinqerisht që kjo të mos jetë e vërtetë për Shqipërinë. Shqiptarët janë ndër njerëzit më të ndershëm që njoh. Integriteti juaj është me emër: kur dikush jep besën, ajo kthehet në një lidhje solemne që nuk duhet shkelur.
Prandaj është kaq e trishtueshme kur sheh se në ç’shkallë është përhapur korrupsioni në Shqipëri, sidomos tek elitat tuaja. Lufta kundër këtyre niveleve të korrupsionit kërkon më shumë sesa atë retorikën boshe që del nga qeveria në mënyrë periodike. Gjëja esenciale që ju nevojitet është një sistem gjyqësor i fortë dhe i besueshëm. Prandaj i ndoqa me shumë dhimbje veprimet e gjykatës jo vetëm në rastin e gjyqit të Gërdecit, por edhe në rastin Meta, në të cilin, sipas asaj që shihje, gjykatësit bënë përpjekje të paimagjinueshme për të hedhur poshtë evidencën e pakundërshtueshme të shkeljes së ligjit, që u ishte vënë përpara. Por çfarë mesazhi jep një vendim i tillë i paarsyeshëmpaprinciptë? Që gjykatat mbrojnë ata që kanë ndikim dhe para? Që të pasurit dhe të pushtetshmit janë të përjashtuar nga zbatimi i ligjit? Që në gjykimin e gjykatës, sundimi i ligjit vlen vetëm për ata që nuk kanë pushtet politik? Nëse është kështu, a nuk janë në thelb gjykatat, bashkëfajtore në vetë aktet e korrupsionit që ato lejojnë që të mos dënohen? Dhe nëse gjykatat nuk e shkulin tumorin e korrupsionit, a nuk ka për të hyrë ai shpejt në rrjedhën e gjakut?
Nëse mendoni sot për kohën që shërbyet në vendin tonë, a ka diçka që do ta kishit bërë ndryshe?
Po, ka disa gjëra. Së pari, do të isha përpjekur më shumë të mësoja gjuhën shqipe. Është një gjuhë kaq melodike dhe shprehëse dhe do doja që të kisha pasur mundësinë të flisja drejtpërdrejtë me miqtë e mi shqiptarë. Sot, kur dëgjoj shqiptarët në Amerikë që flasin me njëri- tjetrin, më duket si muzikë e dëgjuar në një ëndërr. Më zgjon shumë kujtime të bukura.
Së dyti, gjatë kohës time në Shqipëri, unë u përpoqa shumë të takoj sa më shumë shqiptarë të zakonshëm. Do të doja të kisha pasur më shumë kohë për ta bërë këtë, për t’u prezantuar me më shumë njerëz, për të dëgjuar historitë e tyre, për të mësuar mbi ta si individë. Këto ishin momentet më të bukura për mua në Shqipëri: pirja e një kafeje me miqtë, shakatë, të dëgjoja shqetësimet e tyre, të përthithja gjërat e mençura që më mësuan. Më kujtohet një herë, jo larg prej fshatit Frashër, kur miqtë që më kishin ftuar në një drekë, papritur ia morën këngës. Një person udhëhiqte, të tjerët i mbanin ison, dhe të gjitha shkriheshin në një harmoni të mahnitshme. Atje, mes maleve dhe pyjeve, ku jetuan të tre vëllezërit e famshëm Frashëri, pasardhësit e tyre kishin ringjallur muzikën e një kohe që i përket historisë. Qe një moment magjik. Kam pasur shumë momente magjike kur isha mes shqiptarëve. Do doja të kisha pasur më shumë kohë.
Zoti Ambasador, sot ju keni shprehur shqetësimin për gjendjen e demokracisë shqiptare, por cili është parashikimi juaj për të ardhmen?
Pavarësisht vështirësive për të cilat folëm, unë mbetem shumë optimist për Shqipërinë. Historia është në anën tuaj. Sot që flasim, teksa përballen me mundësinë e vazhdimit të sundimit me dorë të fortë, njerëzit anembanë botës janë duke kërkuar demokraci. Jo shumë kohë më parë, kjo ndodhi në Europën Lindore. Sot është radha e Lindjes së Mesme. Një ditë demokracia do të përhapet kudo. Sepse nëse historia na mëson një gjë, ky është mësimi më themelor, se nuk mund të tallesh me vullnetin e popullit. Në fund, fuqia e votës së tyre ka për të fituar.
Historia po priret drejt demokracisë. Askush nuk mund ta ndalojë këtë, e padyshim as ata pak udhëheqës regresivë, të cilët, siç ka thënë Presidenti Obama “janë në anën e gabuar të historisë.” Shqipëria ka qenë gjithnjë në udhëkryqin e historisë. Dhe aty jeni sërish. Ngrini zërin për demokracinë tuaj, ngulni këmbë për të kërkuar të drejtën tuaj të lindur si një popull i lirë, dhe në fund keni për të fituar.  http://www.revistajava.al/kryesore-ne-kopertine/2012319/gerdeci-nje-akt-kriminal

Kreu i SHISH-it hedh në gjyq AKKP-në për 17 hektarë tokë në Vlorë

Habjon Hasani

Tiranë Problemeve të pronësisë nuk i ka shpëtuar as kreu i Shërbimit Informativ Shqiptar, Bahri Shaqiri, i cili ka paditur në gjykatë Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Padia mban datën 1 mars, ku së bashku me kreun e SHISH-it, janë palë edhe familjarët e bashkëshortes së tij, që ndërroi jetë vitin e shkuar. Përmes kërkesës drejtuar gjykatës, Shaqiri i kërkon AKKP-së të rrëzojë gjashtë vendime të ZRKKP-së së Qarkut të Vlorës si dhe detyrimin e palës së paditur, AKKP, për të kthyer në natyrë tokën bujqësore që është e lirë dhe e pandarë nga ligji 7051, e cila pretendohet nga paditësit. Padia e Shaqirit kundër AKKP-së i është nënshtruar tashmë shortit dhe do të gjykohet në Shkallën e Parë nga gjyqtarja Rilinda Selimi. Të gjitha vendimet e ZRKKP-ve të Qarkut Vlorë,  që janë atakuar nga pretenduesit janë dhënë në datën 23 tetor 2008, ndërsa katër vite më vonë Bahri Shaqiri dhe disa përfaqësues të familjes Gorishti kanë hedhur në gjyq AKKP-në, pasi kanë ndërmarrë në kohë dhe hapa të tjerë ankimues administrativë. Familjet kërkojnë kthimin në natyrë në Panaja të Vlorës ose kompensim në të holla për një sipërfaqe totale prej afro 17 hektarësh tokë. Përveç Bahri Shaqirit, pretendues dhe paditës janë edhe katër anëtarë të familjes Gorishti nga Vlora, që janë të afërm të bashkëshortes së kreut të Shërbimit Informativ, e cila ka ndërruar jetë rreth një vit më parë. Në kërkesën e parë, Bahri Shaqiri dhe familjarët e tij kërkojnë brenda kufijve të sipërfaqes 42 600 m2, që ndodhen në fshatin Panaja-Vlorë detyrimin e AKKP-së për të kompensuar diferencat e tokave të ndara që konsiderohen të zëna, me toka të tjera të lira ose në të holla. Në kërkesën e dytë bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 35 200 m2, që ndodhen sërish në fshatin Panaja të Vlorës. Edhe në këtë kërkesë, Shaqiri dhe familjarët e së shoqes i kërkojnë AKKP-së të kompensojë diferencat e tokave të ndara, që konsiderohen të zëna, me toka të tjera të lira ose në të holla. Në kërkesën e tretë  kërkohet që brenda kufijve të sipërfaqes 18 600 m2 që ndodhen në fshatin Panaja-Vlorë detyrimin e AKKP-së për të kompensuar  diferencat e tokave të ndara që konsiderohen të zëna, me toka të tjera të lira ose në të holla. Ndërsa në kërkesën e katërt, sipërfaqja që pretendohet nga familja Gorishti është  52 000 m2, e për të cilën  AKKP duket se ka kthyer një përgjigje se këto toka janë të zëna. Në të njëjtën padi, kreu i SHISH-it pretendon kompensim ose kthim në natyre për një tjetër sipërfaqe prej 23 600 m2, ndërsa në kërkesën e  gjashtë bëhet fjalë për kompensimin e  3 600 m2 që ndodhen në fshatin Panaja-Vlorë. Në total, kreu i Shërbimit Sekret dhe familjarët e bashkëshortes së tij pretendojnë 175 mijë metër katrorë tokë në fshatin Panaja, një pjesë e mirë e të cilave duket se i është nënshtruar ndarjes përmes ligjit 7501 për banorët e zonës. Pas hedhjes së shortit, palët do të duhet të përballen në gjyq për të zgjidhur pretendimet e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror për tokën që i takonte bashkëshortes, e për rrjedhojë edhe fëmijëve të tij.

6

Kërkesa ndodhen në padinë që kreu i SHISH-it ka bërë kundër AKKP-së, së cilës i kërkon rrëzimin e vendimeve të ZKKP së Qarkut Vlorë

175

Mijë metër katrorë tokë në fshatin Panaja të Vlorës, sipas paditësve i takojnë familjes Gorishti, ndërsa një pjesë e saj është ndarë sipas ligjit 7051

Precedenti

Familjarët e Presidentit, në gjyq për pronat

Gjykata e Lartë ka marrë në shqyrtim një padi të 22 trashëgimtarëve të familjes Topi, të cilët kundërshtojnë një vendim të AKKP-së për çështje pronësie. Në listën prej 22 trashëgimtarësh janë ndër të tjerë emri i Presidentit të Republikës, Bamir Topi; vëllai i tij, mjeku i njohur Flamur Topi; si dhe nipi, Ivi Topi. Të paditur në këtë çështje janë Ismail e Hanke Topi, si dhe persona të tjerë që, sipas paditësve, kanë përfituar pronën në mënyrë të padrejtë. Në cilësinë e të paditurit gjithashtu është edhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, e cila ka marrë një vendim në favor të kundërshtarëve të familjes së Presidentit të Republikës. Sipas padisë, rezulton se çështja që tashmë duhet të zgjidhet nga Gjykata e Lartë, ka të bëjë me shfuqizimin dhe ndryshimin e vendimit nr.203, datë 26.06.2009 të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit Pronave të Qarkut Tiranë. Gjithashtu në padi kërkohet edhe pezullim i ekzekutimit të aktit administrativ dhe veprimeve me pronën në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive Tiranë. Kjo çështje është shqyrtuar nga dy shkallët e gjyqësorit, ndërsa tashmë është dërguar për zgjidhje në Gjykatën e Lartë. http://www.mapo.al/2012/03/20/kreu-i-shish-it-hedh-ne-gjyq-akkp-ne-per-17-hektare-toke-ne-vlore/

20 Mars 2012 – 07:12
Zef Brozi: Lëvizje pranvere
kundër Tiranisë Berisha
Zef Broz
EKSKLUZIVE/ Në një intervistë të botuar sot në gazetën Shqiptarja.com, ish kreu i Gjykatës së Kasacionit (sot Gjykata e Lartë) analizon zgjedhjet e vetme pluraliste te 22 marsit 1992 dhe nevoja sipas tij për një lëvizje pranverore e studenteve shqiptarë sot. Brozi deshmon dhe si donte të dënonte Berisha dy gazetarët Frangaj e Leka dhe përpjekjet për ta eliminuar fizikisht në vitin 1995.(Në foto: Zef Brozi në kohën e drejtimit të Gjykatës së Kasacionit, viti 1994)

Posted in: Albania